U lind në Përmet, i biri i Paskal Thanasit dhe Kaliopesë së Lami Papadhimitrit. I ati në fillim qe sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblarë, Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipe e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë. në hapësirën e viteve 1903 - 1919, ka jetuar e qëndruar pranë familjes, me prindërit, Paskalin e Kaliopin, si dhe me tri motrat, me Uraninë, me Angjeliqinë dhe me Elpiniqin, në qytetin e Përmetit (1903 - 1910, 1914 - 1919, me disa muaj qëndrimi larg qytetit gjatë vitit 1916), në Koblarë (1911 - 1914) dhe në Frashër (nga maj deri në shtator apo tetor 1916). Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, ku më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.[1]