Skulpturat e ngjashme me mushkëritë të Ivana Bašićit janë krijuar prej qelqit të fryrë, një material që flet për frymën që e ka formuar atë, dhe çelikut të pandryshkshëm, që tregon pashmangshmërinë dhe dhunën prapa forcave të jetës dhe vdekjes, forca që veprojnë mbi trup. Ato shpesh përfshijnë materiale të paprekshme si presioni, psherëtima, pesha dhe përdredhja, të cilat përfshihen brenda materies dhe drejtojnë formimin e veprave të artistes. “Sa e bukur dhe sa fatkeqe kjo lidhja jonë me mushkëritë”, shkruan poetja Juliana Spahr.
Seria e Bašićit e riimagjinon krizalisin —krizalidën e insekteve poashtu edhe gjendjen kalimtare— si një hapësirë ndryshimi radikal, ku kufijtë e vetes njerëzore shpërbëhen. Duke thirrur insektilin, një formë e jetës aliene, shpeshtë e anashkaluar, skulpturat e saj sfidojnë qëndrueshmërinë e narrativave të përqendruara tek njeriu. Duke qëndruar në kundërshtim me shoqërinë patriarkale dhe policimin e organeve jobinare, trupat e prezantuar janë vazhdimisht në fluks, të ndarë nga konstruktet shoqërore ose biologjike. Ajo shpjegon: “Kapitalizmi e kthen gjithnjë e më shumë lëndën fizike në pneumë (frymë, shpirt) dhe teknologjia e re i lejon njerëzimit bashkëkohor të përshkojë vazhdimisht ekranet, duke bërë të mundur daljen nga kufijtë truporë”. Metamorfoza dhe rrjedhshmëria konceptohen si potenciale çlirimi, të cilat ajo i quan mundësi “fluturimi”. Duke iu referuar filozofisë së shkrimtares franceze Catherine Malabou, ajo thërret një identitet që ikën nga vetja si një mënyrë për t'u çliruar.