Në fotografitë e saj të inskenuara, Joanna Piotrowska fokusohet në marrëdhëniet njerëzore dhe shprehjen e tyre trupore. Ajo i përcjellë personazhet e ngatërruara në kontekstin e institucioneve shoqërore, duke luftuar me manifestimet e pushtetit, varësitë emocionale dhe elementin e dhunshëm të natyrës njerëzore. Prej tyre buron një atmosferë izolimi dhe dhunë e heshtur. Shohim strehëza të lëkundshme të ndërtuara nga të rriturit brenda shtëpive të tyre, gjeste drejt armiqve të padukshëm ose kafaze kopshtesh zoologjike të braktisura nga banorët e tyre. Lëvizjet e qëllimshme, të përpiluara me përpikëri të Piotrowska kthehen në një gjuhë të pazakontë trupi. Printimet e saj bardh e zi, të punuara me dorë, prej argjendi dhe xhelatine, ngjallin të dhëna performancash dhe jo dokumentim të realitetit, në të cilin pozicioni i një gruaje, psikologjia dhe politika e rebelimit të vajzave, e poashtu edhe nevoja njerëzore për të kontrolluar dhe dominuar, vihen në pikëpyetje. Teksa fytyrat mbeten në errësirë dhe nuk shihen në shumicën e printimeve, veprat e Piotrowska sfidojnë narrativat fotografike konvencionale të familjes dhe shtëpisë, duke nënvizuar si dhunën strukturore të përjetuar nga gratë në shoqëritë patriarkale, poashtu edhe mundësinë e një rebelimi të mundshëm.