Kastrati, u lind në vitin 1933 në fshatin Karaçevë të epërme të Kamenicës në Kosovë. Ai i takonte gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore, ku emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurativ të cilët kanë jetuar dhe krijuar në kohën e Jugosllavis. Ai jetoi dhe veproi në Maqedoninë e Veriut duke lënë në trashëgimi vepra të rëndësishme.
Në krijimtarinë e Adem Kastratit dominon tematika sociale me elemente etno folklorike të ambienteve rurale. Përditshmëria vazhdimisht prezantohet nëpërmjet gërshetimit të natyrës dhe figurës së njeriut të zakonshëm, e përshkruar nga lirizmi socio – antropologjik i nën qiellit rural shqiptar. Në epiqendër të kompozicioneve të këtij cikli autori e fikson figuracionin, në veçanti figurën e njeriut, e cila posedon identitet social e psikik me karakteristika të ambienteve kosovare – shqiptare.
Fillimisht Kastrati ka pikturuar në teknikën me ngjyra të vajit, por më vonë me një përkushtim të madh ai fillon edhe pikturimin me ngjyra të dheut, për të cilën teknik edhe njihet. Disa prej punimeve më të njohura të tij janë: Magja (1989), Dasmorët (1989), Darka (1977).