LINJAT E FURNIZIMIT: FOTOGRAFIA DHE LOGJISTIKA

Gjon Mili

Edicioni i 14

2015


Teknologjitë e prodhimit të imazhit fotografik luajnë rol qendror në sistemet e krijimit të kuptimit të cilat synojnë që të përvijojnë realitetin tonë: nga shkencat mjekësore e deri të forenzika; nga astronomia deri te organet e mbikëqyrjes; nga lufta me dron deri te mediet sociale. Nga ky këndvështrim, mediet fotografike qëndrojnë në pikën më të lartë në mes të shkencës dhe logjistikës, ku fotografimi në njërën anë i shërben proceseve spekulative dhe metodologjive eksperimentale, dhe në anën tjetër i ushqen me informata instrumentet gjithnjë më precize algoritmike që kanë për qëllim zbutjen e flukseve infrastrukturore.

Siç e kanë identifikuar shkrimtarët Fred Moten dhe Stefano Harney, dominimi i sotëm i fushës së logjistikës mbi jetën dhe punën tonë të përditshme sugjeron zhvillimin e kapitalit përtej varshmërisë nga subjekti: “për kapitalin subjekti është bërë tejet i papërshtatshëm, i ngadalshëm, i prirur për gabime, tejet kontrollues, e mos të flasim se sa është bërë si formë e jetës tejet e rafinuar dhe e specializuar... Logjistika dëshiron që tërësisht ta heq qafe subjektin. Kjo është ëndrra e kësaj shkence kapitaliste që ka filluar të dominojë rishtazi.” Nën logjistikën, sistemet dhe logjikat zhvillohen dhe rafinohen me synim për të parashikuar saktë riskun dhe për të krijuar harta të probabiliteteve, si mjete të maksimizimit të produktivitetit pavarësisht nga ndikimet e paparashikueshme njerëzore. Dhe degët e shkencës bashkëkohore gjithnjë e më shumë i shërbejnë kapitalizmit logjistik jo vetëm duke ofruar instrumente të reja për grumbullimin e të dhënave dhe për analizë, por gjithashtu përmes një lloj izolimi dhe kuantifikimi të kapaciteteve neurologjike dhe biologjike.

Arti i shekullit të kaluar gjithashtu u kthye kah sistemet organizative, për të kontestuar së pari primatin e autorit, e së dyti atë të vetë objektit të artit. Përderisa degët e artit janë dorëzuar pranë ndërmjetësimeve autonome të teknologjisë, përdorimi dhe dekonstruktimi i sistemeve gjuhësore dhe semiotike e formoi forcën kryesore shtytëse prapa praktikave kritike e artistike te gjysmës së dytë të shekullit XX, të bazuara në pikëvështrimin se roli i artit është të sfidojë palëvizshmërinë e shenjave dhe interpretimeve që formësojnë raporte specifike të pushtetit. Megjithatë, krahas këtij qëndrimi kritik ndaj institucionalizimit, arti bashkëkohor vetvetiu është i ndërlidhur dhe i ndërmjetësuar nga logjistika – lëvizje të menaxhuara të punëve të artit, ideve, diskurseve, dhe influencave të cilat e formësojnë ekonomikisht dhe shoqërisht, po edhe gjeo-politikisht, natyrën transnacionale të artit. Duke e pasur këtë parasysh, zbatimi i sistemeve organizative nga artistët bashkëkohorë dhe strukturave shoqëruese të tyre përbrenda prodhimit dhe materialitetit të punëve të artit bart një tjetër peshë.

I edukuar si inxhinier, Gjon Mili njihet si pionier i përdorimit të instrumenteve stroboskopike në prodhimin e fotografive të cilat kapin një varg veprimesh brenda një imazhi. Ekspozita ndërkombëtare e fotografisë Gjon Mili 2015, kuruar nën titullin Linjat e furnizimit: Fotografia dhe logjistika, e merr këtë praktikë të kapjes së lëvizjes brenda një imazhi të vetëm dhe të qetë si metaforë për pyetjet rreth marrëdhënies së fotografisë me shkencën dhe logjistikën. Si e adresojnë artistët që përdorin këtë medium sot afërsinë me proceset analitike të shkencave natyrore dhe shoqërore? Si i shohin ata kapacitetet informative të fotografisë dhe përdorimit të saj brenda sistemeve organizative me qëllim për të bërë të dukshme “fuqinë e hapësirës së infrastrukturës”, siç e quan arkitekti Keller Easterling? Dhe nëse logjistika synon që të hap linja të furnizimit përtej subjektit, atëherë ku e lë kjo fotografinë si një medium i izoluar artistik në të cilin teknologjia përafron kapacitetet biologjike të të parit dhe kujtesës, si dhe proceset e shpërndarjes dhe mbledhjes së imazheve?

Ky libër është i menduar si shoqërues i ekspozitës “Linjat e Furnizimit” dhe përfshin seksione mbi secilin nga artistët e përfshirë ne ekspozitë. Në vend të renditjes alfabetike, siç është zakon në një katalog të tillë, seksionet janë të renditura në bazë të subjekteve dhe temave të ndërthurura që puqen me përmbajtjen dhe karakterin epistemik, material dhe estetik të punëve të ekspozuara. Ky bashkim mendje-hapur i lidhjeve rrjedh nga specificitetet e infrastrukturave logjistike, si dhe nga interesat e politikës globale dhe nga hapësirat publiko/ private të “supermodernitetit”; deri te ndikimet ideologjike të prodhimit, kompresimit dhe distribuimit të imazheve, si dhe fuqisë bindëse të imazheve si toteme të historicitetit dhe faktivitetit, të shfrytëzuara dhe eksploatuara nga shkencat natyrore dhe shoqërore; e deri tek trupi i njeriut si vendngjarje e ekspozimit ndaj teknologjive diagnostike, dhe fotografisë si një shënjues dhe instrument i sistemeve të organizimit kohor, hapësinor, social dhe epistemologjik.