Fotografia është një medium i fuqishëm i cili shfrytëzohet jo vetëm nga fotografët dhe artistët, por nga ne të gjithë. Ne vazhdimisht bëjmë fotografi dhe i përdorim për arsye të ndryshme. E fotografojmë njëri tjetrin në një akt të ndarjes së çastit, ose si një vegël të kujtesës.
Fotografitë janë imazhe që na lidhin me njëri tjetrin, por janë gjithashtu edhe pjesë e ritualeve sociale që krijojnë dallime. Që ndajnë në "ti" dhe "unë", në "ne prej atyre". Ato janë pjesë e identitetit tonë, apo edhe ndihmojnë në krijimin e një identiteti. Ato konfirmojnë ekzistencën tonë, por njëkohsisht e vënë në dyshim se kush jemi në të vërtetë.
Me procesin e globalizimit, dhe me ndikimin e shtuar të internetit, idetë dhe konceptet për identitetin dhe individualitetin janë duke ndryshuar. Në internet, kufijtë mes personales dhe publikes ndryshojnë. Këtu, ne i ndajmë jetët tona me të tjerët. Strukturat tradicionale shoqërore të cilat i kanë përcaktuar identitetet tona në të kaluaren janë duke u shembur. Ne mund të vendosim më lirshëm se kush jemi, ku përkasim, me kë i ndajme jetët tona. Vendi ku ne jetojmë më nuk e përcakton se kush jemi. Por deri sa përpiqemi për të qenë individë ose komunitet i veçantë, ne njëkohësisht dëshirojmë t'i përkasim dickaje apo dikujt: një grupi, një komuniteti më të gjerë, botës. Ne dëshirojmë të jemi ndryshe dhe të ngjashëm njëkohësisht.
Vetëm, së Bashku, Fotografia dhe Tjetri, fokusohet në rolin të cilin fotografia e luan në çështjet rreth identitetit, bashkësisë, dhe dallimeve. Ekspozita, përmes punës së fotografive dhe artistëve të ndryshëm, hulumton kufijtë në mes individuales dhe kolektives, mes vetës dhe tjetrit, në mes 'unë' dhe 'ti', 'ne' dhe 'ata', dhe si dryshojnë këto koncepte në një botë në globalizim e sipër.
Në disa raste, fotografët krijonë imazhe të cilat vënë në pyetje konceptin e 'bashkësisë', si në rastet e Otto Snoek, Martino Marangoni dhe Samir Karahodës. Përderisa Snoek fokusohet në rritjen e nacionalizmit në Evropë, i cili po bëhet më i dallueshëm nëpër organizime dhe manifestime publike, Marangoni paraqet hapësiren publike në qytete të mëdha si një teatër të vetmisë, ose së paku një vend ku ndjesia e bashkësisë është humbur. Ngjashëm i fokusuar në arkitekturë, Karahoda vështron traditat të cilat do të duhej t'i lidhnin gjeneratat e ndryshme brenda familjeve Kosovare dhe Shqiptare me njëra tjetrën.
Relacionet mes individit dhe grupit përfaqësohen nga një numër i artistëve të përzgjedhur. Arie Versluis dhe Ellie Uyttenbroek kanë përvetësuar një model tipologjik për të paraqitur dhe kategorizuar stilet e shumta të veshjes në të cilat ata hasin nëpër rrugët e qyteteve të mëdha, duke skicuar kështu tendencat më të përhapura për tu dukur 'ndryshe' dhe të cilat janë të frymëzuara nga prapavijat e ndryshme (sub) kulturore, fetare, ose gjinore. Julian German ka fotografuar fëmijët në klasat shkollore, duke eksploruar kështu marrëdhënien komplekse mes vendit, nacionalitetit, arsimimit, dhe zhvillimit të identitetit individual të nxënësve dhe relacionin e tyre me grupin.
Fotografia e ëerdorur për të eksplorar identitetin personal apo at të 'tjetrit' shihet në disa punime. Oliver Sieber interesohet për të rinjtë të cilët vishen si personazhe të pop-kulturës. Në vend se të ndërtojnë marrëdhënie në botën reale ata përkohësisht arratisen në një botë fiktive. Te rinjtë të fotografuar nga Olson Lamaj duket se kanë mbetur pezull në mendime.
Lamaj hulumton dhe njëkohësisht zgjeron mediumin e foto-portretit duke e kombinuar atë me imazhe tjera. Kërkime të ngjashme bën edhe Atdhe Mulla, edhe pse me prozaike. Si fotograf i cili punon per medie të ndryshme të shtypit, ai ballafaqohet herë pas here me udhëzime të sakta se si duhet t'i fotografojë njerëzit. 'Tjetri' nuk prezantohet në medie në një mënyrë të natyrshme, por sipas ideve të redaktorëve për mënyrën e paraqitjes të tij.
Në një projekt tejet personal dhe ditaresk Antoan Kurti përdorë fotografinë si mjet për kerkimin e identitetit dhe relacionit me prindërit, pasi që eshte rritur larg prej tyre gjatë luftës.
Qëndresë Deda fotografon vetën pothuajse çdo ditë në poza, situata, dhe vende të ndryshme. Autoportretet e saj mund të pozicionohen diku midis 'sel-fie-ve' (autoportrete joformale të bëra me kamerë të telefonit) të popullarizuara kohëve të fundit, dhe punës artistike të Cindy Sherman dhe Tomoko Sawada. Puna e Dedës duket si një përpjekje dhe kërkim i vazhdueshëm dhe i guximshëm për të gjetur tjetrin në vetveten - apo anasjelltas? Fakti se ajo e ndan këtë kërkim artistik për vetveten në facebook, duke ftuar kështu tjerët për pjesëmarrje, pasqyron një qasje tejet bashkëkohore.
Ne ditët e sotme, publikimi global i atyre që konsideroheshin 'imazhe private' është bërë e zakonshme. Përderisa Milomir Kovacevic dhe Genc Kadriu të dytë fokusohen në punët e përzgjedhura këtu që ende janë mjaft private dhe intime, në Fotografitë e të tjerëve, Joachim Schmid tregon se si çdo ndjesi për 'privaten' ështe zhdukur në ueb-faqet si flickr, facebook, twitter, etj. Jetët tona intime shihen nga 'bashkësia jonë globale' në ueb.
Funksioni i kujtesës i fotografisë paraqitet në punën e Majlinda Hoxhës dhe Eva Leitolf-it. Të dy artistet kanë dokumentuar vende me një funksion të kujtesës, duke dyfishuar funksionin e kujtesës për vendin (ose monumenteve në rastin e Hoxhës) me atë të fotografisë. Në rastin e Leitolf-it, ku në fakt vetë fotografia ishte shëndërruar në monument, ajo çka kujtohet ndërlidhet
drejtpërdrejtë me 'tjetrin' (siç ishte për shembull një imigrant i paftuar). Këto vepra shtrojnë pyetjen se si veprimet e memories dhe të harruarit pasqyrojnë dhe mbase edhe i japin formë marrëdhënieve tona me të tjerët.
Punimet e përzgjedhura janë të gjitha punime të reja me përjashtim të punimeve të Marina Abramovic & Ulay, të cilat janë inçizime të performancave të tyre revolucionare nga fundi i të 70-tave. Relacioni, ndërveprimi, dhe konkurrenca mes dy artistëve ishin në qender të këtyre performancave të cilat mbanin edhe një aspekt fizik në vete. Në kontekstin e Vetëm, së Bashku ato janë te pozicionuara si referenca kyçe për çfarëdo reflektimi artistik mbi marrëdhëniet mes njerëzve.