Leart Rama / Bliss (Misery is a Butterfly)
Bliss (Misery is a Butterfly), eksploron ndërtimin dhe performimin e gjinisë, seksualitetit dhe identitetit në shoqëri, duke na inkurajuar të sfidojmë stereotipet dhe normat që na përcaktojnë kuptimin e këtyre nocioneve. Punët e prezantuara marrin në shqyrtim raportin mes familjes dhe identitetit krahas eksplorimit të dëshirave personale, intimitetit dhe kënaqësisë. Duke theksuar kryqëzimin e identitetit me klasat dhe etninë/racën, ekspozita shfaq përvojat e shumëanshme të komuniteteve të margjinalizuara.
Në hyrje të galerisë, aktori Tristan Halilaj, i pret vizitorët e ekspozitës me një performancë. Brenda në pjesën e shkallëve të galerisë audienca kalon përmes një instalacioni të veshjeve të personave të shumtë, duke e hapur skenën për të bredhur në një labirint imagjinar; një hapësirë magjike për disa, e të parehatshme për të tjerët. Me tutje, dy projeksione të pamjeve nga galaktika shërbejnë për të na mahnitur dhe në të njejtën kohë na kujtojnë sa të vegjël jemi në skemën e madhe të gjërave. Në dhomën tjetër, një prezencë e errët e një personi, i cili do të jetë i performuar nga aktori Redon Kika, brenda një akuariumi, në vështirësi për frymëmarrje dhe në dhimbje, aludon në kufizimet e jetës të cilat na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm.
Tingujt e kompozuar nga Genc Elezaj dhe zëri i artistes Edona Vatoci e cila performon në hapje dhe mbyllje të ekspozitës, i japin ton hapësirës dhe udhëheqin përvojën e ndërhyrjeve të ndryshme vizuale që nxisin dialog dhe evokojnë të vërtetat e shtypura.
Në dhomën e fundit, objekte nga fëmijëria e artistit të cilat mishërojnë kujtime personale nga ngjarjet e jetës së tij, na transportojnë në përjetimet e tij përgjatë rritjes. Veprat na ftojnë t’i vëmë në dyshim supozimet dhe paragjykimet si dhe të zhytemi në kompleksitetin dhe nuancat e natyrës njerëzore. Ekspozita pohon dhe insiston në të drejtën tonë për shprehje dhe vetëvendosje, na fton ta përqafojmë spektrin e plotë të përvojave dhe të ardhmes që po e ndërtojmë.