Fatmir Mustafa-Karllo: Farë e çuditshme

Aktivizoni objektet. Aktivizoni kujtimet. Aktivizoni të ardhmen alternative.

Veprat e Fatmir Mustafës-Karllos janë të lidhura, jo në kuptimin e artit si projeksion për përvojat personale por si dëshmi e gdhendur në material. Për dy dekada të mira, shumë prej veprave të tij kanë qenë të ndërlidhura me performanca dhe ndërhyrje të cilat riformulojnë hapësirat dhe proceset shoqërore duke i bashkuar ato me një këndvështrim alternativ. Punimet e prezentuara në ekspozitën “Farë e çuditshme” u përkasin situatave, në radhë të parë në raport me hapësirat konkrete historike dhe publike prej nga buron materiali i përdorur dhe të cilave në të njejtën kohë edhe ju referohet. Pajisje mbrojtëse të punës, asfalt, dokumente historike-këto janë farat e çuditshme që artisti i përcjellë me kalimin e kohës dhe i përfshin në veprën e tij si forma rebeluese e alternative të kujtesë.

Farat në të njëjtën kohë janë edhe sende edhe burim i proceseve jetësore. Si fruta ato janë ushqim, diçka që prodhohet dhe shitet si produkt bujqësor. Në të njëjtën kohë çdo farë është imazh i potencialit të pastër, një burim i fshehur i zhvillimit, rritje dhe jetës. Farat e çuditshme janë ato fruta që janë jo të zakonshme ose thjesht duken të çuditshme në kontekstin e tyre. Si devijim i papritur ose i paqëllimshëm ato krijojnë pamje divergjente të rregullave. Vëmendja që ato tërheqin, denormalizon realitetin dhe e bën të anashkaluarën të dukshme.

Disa nga elementet e paraqitura në ekspozitë e kanë origjinën nga ose dokumentojnë procese performuese- peshqirët e bardhë të përdorur nga punëtorët në rrugët e Elbasanit për t'u terur gjatë takimeve të tyre me artistin ose busti nga mermeri i artistit si Elvis Presley që ju referohej performancës së tij të viteve 2011-2012 "Anyways, Always" në stacionin social finlandez të dokumentuara në disa seri të fotografive në "Fara e çuditshme".

Skulpturat nga neoni “It`s difficult" dhe "You better stop it" janë gjithashtu të ndërlidhura me shfaqjet në të cilat Karllo reflekton mbi situatën e artistit dhe marrëdhëniet mes artit dhe tregut të artit duke përfshirë veprime si "Meet the Curator" (2007) ose instalacioni i Karllos “The accidents of Rose`s” (2008) në projektin “Barber Shop” të kuruar nga Sislej Xhafa në Prishtinë. Këtu, vizitori ulet në karrigën e berberit përballë pasqyres para së cilës portretet e një kuratori të shquar ishin varur nga tavani me fije. Pjesë e këtij kompleksi të veprave është edhe skulptura “The Artist Must Stand”, me të cilën hapet ekspozita “Fara e çuditshme”.

Situatë specifike përceptuese në ekspozitë krijohet edhe nga vepra të tilla si piktura “Rapid Eye Movement”, ku sipërfaqja e qelqit e cila është e përbërë nga materiale të ndryshme pasqyron në mënyrë jo të rregullt vizitorët në galeri. Dhomat e bardha dhe të errëta nga seriali “History of Misery”, në të cilat vizitorët me ndihmën e dritës nga telefonat e tyre mund të zbulojnë mbishkrimet fosforeshente të të burgosurve, gjithashtu synojnë të krijojnë një përvojë të pazakonshme.

Ashtu si në skulpturën "The Artist Must Stand", shumë nga veprat e Karllos janë krijuar për të tërhjekur vizitorët në hapësirën e veprës shpesh duke na lënë një përvojë të ëmbël dhe të thartë: A mund vërtet të ecësh mbi një tepih të punuar nga rroba të punës? Çfarë arome kanë ato lecka të bardha në kutinë e madhe nga xhami?

Shumë nga veprat e Karllos zhvillojnë koncept skulpturor të materialeve që janë specifike për vendet prej nga vijnë dhe të cilave ju referohen. Në objektet e gjetura si pllakat nga asfalti, dokumentet historike dhe zbrazëtirat e pluhurosura të ndërtesave të ish-fabrikave apo mbishkrimet e të burgosurve artisti zbulon proceset politike dhe fatet individuale të cilat ato i përmbajnë. Punime si kutitë e dritave të serialit "Moon" ose imazhet e asfaltit të grupit "Nightmare" e sjellin materialin në formë serike që abstrakton objektin e gjetur duke e grimcuar atë në pluhur si në serinë "Rapid Eye Movement", duke e transformuar atë në panele me ngjyra të shndritshme si në kutitë e "Moon", ose përpunimin e pjesëve uniforme individuale të veshjeve të ndryshme mbrojtëse në një tepih abstrakt si në "Seen".

Veprat e Karllos nuk janë kurrë thjesht të bukura në kuptim të këndshëm, megjithëse janë thelbësore dhe konceptualisht të sofistikuara. Ato e fshehin rrëfimin e tyre në situata dhe shenja të paqarta të cilat nga ana e tyre sjellin rëndësinë dhe historinë e tyre në vepër dhe e ruajnë atë brenda saj. Në këtë kuptim shumë nga veprat e Karllos lidhen me konceptin e arkivit. Ato janë një koleksion i objekteve specifike të cilat përmbajnë dëshmi historike si letrat e punëtorëve në “Moon” ose mbishkrimet e të burgosurve në serinë "The History of Misery" dhe kontribuojnë në rishqyrtim të vonshëm që tregon larg përtej gjërave konkrete.

Veprat e Karllos janë pika problematike ku përvoja nga trazirat sociale, dhunës dhe historisë mund të përjetohet nga këndvështrimi i dikujt që vë në pikëpyetje vetë-provën ose mungesën e dukshme të alternativave të këtyre proceseve. Ai këtë farë të çuditshme e sheh duke punuar kudo, duke shpalosur efekte të papritura në distanca të mëdha kohore. Ashtu siç e tashmja jonë është duke i mbjellur farat që do të formësojnë jetën e fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm.

Cilat do të jenë pasojat e mënyrës sonë të të bërit biznes aktualisht, të ndryshimit të qyteteve dhe natyrës, të lidhjes dhe prishjes së kontratave në disa dekada apo ndoshta edhe në disa muaj? Çfarë do të thotë kjo për bashkësinë tonë, për të dobëtit, për të pambrojturit, për format tjera të jetës?

Punët e ndryshme në këtë ekspozitë rriten nga farat e çuditshme nga koha e kaluar. Arkivimi i objekteve të gjetura, dëshmitë historike dhe përdorimi i objekteve të gatshme janë filament në veprat e Fatmirit, si dhe performansat dhe veprimet e tij në hapësirat publike nga të cilat kanë dalë disa nga objektet e shfaqura në ‘Fara e çuditshme’. Realiteti i tyre transformohet në hapësirat e ekspozitës por mbetet i vendosur pasi që aktivizohet dhe e fton vizitorin të ngjitet në piedestalin e monumentit.

Karllo e përshkruan veten si një farë të çuditshme. Duket se nuk mund të rritet si çdo luledielli tjetër në fushë, ai kthen kokën në tjetër drejtim duke e parë botën ndryshe dhe duke absorbuar energji dhe lëndë të pazakonshme ushqyese nga toka. Në njërën anë kjo pozitë perverse shpeshherë rezistuese dhe provokuese në të njëjtën kohë është një dhuratë sepse si një farë e çuditshme që del jashtë fushës artisti gjen shprehje për të fshehtën, për realitetin nën maskë. Por sigurisht, artisti nuk është e vetmja farë e çuditshme- kjo ekspozitë tregon se bota është përplot me fara të çuditshme.

"Fara e çuditshme" është ekspozitë për dëgjimin, e nxitur nga letrat me të cilat ju luteshin punëtorët shqiptarë eprorëve të tyre nga mbishkrimet e të burgosurve në burgjet e Rankoviçit, ose nga malet e rrënojave të nxjerra nga asfalti– një kohë e ruajtur në shtresën ngjyrë hiri që befas shtrihet para nesh me copa të mëdha. Ekspozita tregon artistin duke u zhytur mes shtresave të asfaltit duke kërkuar aty jetën për veten dhe farën  çuditshme që është jeta reale siç e sheh ai.

Në rrugën nga Prishtina në Shkup, qyteti nuk ndalet derisa të mbërrijë në kufi. Në disa vende rruga rëndohej nga pesha e madhe e kamionëve deri sa pjesë të mëdha të rrugës po rrëshqitnin poshtë kodrës. Dyqane të vogla përgjatë tërë rrugës, dyqane që shesin gjithçka që ju nevojitet për ndërtimtari dhe shtëpi, punëtori, ndërtim të banesave, komuniteteve të mbyllura për të pasurit dhe rrallë diku ka mbetur ndonjë copë toke bujqësore. Aty ku rruga është prishur, del në pah dheu me gurë. Afër kufirit maqedonas në kodër ndodhen varrezat e mëdha të ushtarëve të UÇK-së. Ato janë të rrethuara me mure nga guri dhe kulla nëpër qoshe të saj si të ishte një fortesë. Mbrapa tyre gjenden fushat të cilat tani përdoren për të ruajtur gurët, numër të madh të makinave të shkatërruara të renditura të ndërlidhura me restorante, hotele, sallone të masazhit dhe me shtëpi të reja të pabanuara.

Pak ndërtesa të vjetra të mbetura ende kanë vrima të plumbave nga lufta e fundit. Por mbizotëron shkatërrimi i paqes, edhe pse çdo shtëpi, çdo sallë dhe çdo kioskë janë shpresë për një jetë të re, një vend për familje, dëshmi e mundimit dhe dëshirë për siguri. Vetëm njëzet vjet më herët fusha të mëdha me luledielli gjendeshin përgjatë rrugës. Përparimi në vetvete është një farë e çuditshme. Ajo mbin në mënyra që askush nuk e pret. Artisti Fatmir Mustafa-Karllo ka përjetuar luftën, shpërnguljen, humbjen e shtëpisë dhe familjes, varfërinë në shtetet e Perendimit të pasur dhe fuqitë e reja në Lindjen e vjetër.

Kopertina e ekspozitës shfaq shenjën e dorës në pëlhurë të bardhë nga pambuku. Shihet qartazi se dora që fshiu djersën nga trupi me këtë leckë ishte dora e një punëtori. Dy fotografitë në hyrje të dhomës së dytë shfaqin njërin nga këta punëtorë duke përdorur leckën në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Kjo leckë është jeta që Fatmir Mustafa- Karllo po e kalon nëpër kohë. Kundër zërit të dekurajimit që flet ndritshëm nga muret e galerisë me shkronja të neonit: "It's difficult. You better stop". Vetëm arti mund të dëgjojë në këto fjali nxitjen për të vazhduar gjithsesi.

Mendimet janë si fara. Kështu janë edhe veprimet njerëzore apo ndodhitë e papritura që ndërhyjnë në biografitë e njerëzve dhe i vendosin ata në shtigje të reja, shpeshherë të papritura. Këto fara shpesh shumohen te njerëzit dhe mendimet e tyre me gjenerata dhe pas një kohe është vështirë ti dallosh se nga erdhën, kush i solli dhe çfarë ndodhi me to sepse na janë bërë shumë normale për ti vërejtur. Përveç se natyrisht nëse i vëreni, sikurse farat e çuditshme që Mustafa- Karllo i bën të mbijnë në ekspozitën e tij.


Teksti kuratorial nga Thomas Oberender.