Zgjim Zyba / Eminencë Gri
Ndikimi i thellë i teknologjisë në evolucionin e njerëzimit është i lidhur ngushtë me rolin e tij në përcaktimin dhe ndryshimin e pikëpamjeve individuale dhe kolektive rreth së tashmes, së ardhmes dhe imagjinares. Për ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Zyba prezanton dy instalacione të komisionuara që eksplorojnë nocionin e të pamurit dhe lëvizjes në raport me perceptimet tona të cilat shndërrohen dhe ndërmjetësohen nga imazhet vizuale të cilat shpërndahen përmes mjeteve teknologjike.
Eminenca gri e teknologjisë influencon thellësisht vlerat shoqërore të krijuara në hegjemoninë aktuale kapitaliste globale, duke shërbyer si mjet për emancipim, e në të njëjtën kohë, edhe si mjet kufizimi dhe kontrolli. Duke plotësuar njëri-tjetrin, evolucioni teknologjik dhe ai njerëzor i cili shkon prapa në shekullin e 20, krijojnë mundësi për shpalosje të vazhdueshme të perspektivave të reja mbi botën.
Pezull në ajër, në oborrin e përparmë të galerisë janë vendosur disa skulptura 'pika lundruese' që pasqyrojnë dhe imitojnë njollat dhe veçoritë që priren të shfaqen në të pamur kur dikush shikon drejt qiellit, dritës së ndritshme ose në rastet e ndonjë një gjendjeje mjekësore. Të prodhuara me rrëshirë në forma të cilat artisti i ka rikrijuar prej pikave lundruese që ai vet i ka parë, skulpturat janë pozicionuar në një gjendje të palëvizshme, ndryshe nga si ato shfaqen në të pamurit tonë. Pikat lundruese, apo në termin mjekësor Myodesopsias, janë idiosinkratike sa herë që shfaqen. Vepra shqyrton dualizmin e objekteve që ne shohim përmes vlerave të mishëruara të cilat e definojnë dhe e udhëzojnë mënyrën se si ne “shohim”. Titulli i veprës RE:ALL i cili ndan termin “real” në dy komponente, aludon në në natyrën bitshnuese dhe të fragmentuar të vetë realitetit. E pavarësisht se çfarë sinjalesh a shënjuesish na rrethojnë, perceptimi i realitetit dhe reflektimi mbi të vjen ndryshe tek secili. Kur shikojmë veprën, me qiellin në prapavijë, pikat lundruese që kemi në sytë tanë përzihen me ato në qiell të cilat i imponohen vizionit tonë si skulptura. Sikur secili prej nesh është një pikë lundruese, tretmi në një realitet të përbashkët në të cilin jemi të lidhur nga nyje individuale dhe njerëzore.
Në hyrje të galerisë, një palë shkallë të ndërtuara nga sfungjeri të instaluara jashtë janë varur pjesërisht në strehën e ndërtesës, duke hyrë brenda galerisë përmes çatisë së saj. Duke ecur brenda, korridori i galerisë është transformuar dhe duket sikur i ka pushtuar shkallët të cilat janë përhapur dhe shtrirë në tokë. Duke vënë pyetje funksionalitetin e një strukture që zakonisht përdoret për ngritje në lartësi-ultësi, Zyba ka krijuar këtë vepër në përgjigje të arritjeve njerëzore të cilat zhvillojnë teknologjinë me ritëm galop. Ne shpesh e gjejmë vetën të zhytur në një paradoks të madh kur marrim parasysh rolin e teknologjisë si agjenti kryesor i transformimit të natyrës njerëzore. Ngjyra gri e shkallëve, kombinim i ngjyrës së bardhë dhe të zezë, është zgjedhje e qëllimshme që vjen si kritikë ndaj prirjeve shoqërore të konotacioneve që u mvishen ngjyrës së bardhë si paqësore dhe të zezës si personifikim negativ. Neutraliteti i ngjyrës gri supozohet të reprezentojë përplasjet e argumenteve që ndodhin mes lëvizjeve të ndryshme dhe kritikëve, të cilat janë në kundërshtim me çasjet ndaj asaj që na sjell teknologjia. Sipas disa teorive, proces i vazhdueshëm dhe normal i evolucionit të njeriut, ndërsa sipas disa teorive të tjera, zhvillim i pakontrolluar i cili nuk është në favor të jetës njerëzore.