Lumturi Blloshmi. Nga e Para

Lumturi Blloshmi. Nga e Para


“Lumturi Blloshmi. Nga e para” është ekspozita e parë retrospektivë e artistes Lumturi Blloshmi (1944–2020) në Kosovë dhe gjithashtu ekspozita pasuese e prezatimit të saj të suksesshëm në Bienalen e 59-të Venecias si pjesë e pavjonit shqiptar në vitin 2022. Galeria Kombëtare e Kosovës ka nderin të mirëpresë këtë retrospektiv të zgjeruar që përfshin një pjesë domethënëse të krijmitarisë së saj më shumë se gjysëm-shekullore. Ekspozita synon të prezantojë dhe ri-pozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në kontekstin e historisë së artit kombëtar dhe ndërkombëtar. Ekspozita përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet '60-të deri në vitet '2000-jë, dhe përfshin autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi e instalacione që flasin për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, po aq sa flasin dhe për kontekstin specifik politik dhe social në të cilin u krijuan. 

Si pothuajse të gjithë artistët e brezit të saj, Lumturi Blloshmi pikturoi deri në fund të viteve ‘80-të e kufizuar nga metoda e realizmit socialist. Megjithatë, pas viteve '90 ajo ishte një nga të paktët artistë të brezit të saj që arriti të ripozicionojë dhe transformojë me sukses veten dhe veprën e saj deri në fund të jetës. Veprat e Lumturi Blloshmit në pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë karakterizohen nga ironia dhe reflektojnë e tejkalojnë realitetit në të cilin ajo jetoi. Personaliteti i saj dinamik i ushqyer nga filozofia, poezia, ndjesorja dhe shpirtërorja, i kanë dhënë formë një veprimtarie artistike tejet unike. 

Duke prezantuar vepra të paekspozuara më parë, ekspozita ka për qëllim të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumë-përmasore dhe metamorfozën idividuale të Blloshmit. Paraqitja e ekspozitës gjurmon trajektoren e saj artistike në rend kronologjik, duke nxjerrë në pah temat kryesore: kontekstin individual përmes përvojave personale të Blloshmit që janë bërë frymëzimi kryesor për autoportretet e shumta; kontekstin shqiptar të cilin ajo e analizoi, komentoi dhe e përcolli sistematikisht qoftë përmes peizazheve të viteve '1980, Eksodit të viteve '1990 apo tranzicionit politik të viteve '2000; dhe në fund konteksti universal si një interesim për aspektet filozofike dhe shpirtërore të cilat i trajtojnë veprat e viteve të fundit. Kontekstet  që ushqyen praktikën e saj artistike zbulojnë gjithashtu sesi Blloshmi  nëpërmjet imagjinatës dhe eksperimetimit, rikrijon në vazhdimësi figurën në mediume të ndryshme për të sjellë atë që ajo e quan "një univers të veçantë e të prekshëm”.

Praktika artistike mbresëlënëse, biografia e jashtëzakonshme  dhe personaliteti i fuqishëm e bëjnë Blloshmin një vlerë unike dhe shenjuese për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar. 

Për shkak të disa kufizimeve (e shurdhër që në moshën pesë vjeçare, e shtypur nga regjimi komunist për arsye politike, grua në një fushë të dominuar nga meshkujt) nuk ju dha vlersimi i merituar gjatë jetës së saj. Ekspozita synon të hedhë dritë mbi veprën dhe jetën e saj, të cilat ende nuk janë hulumtuar, shfaqur dhe kontekstualizuar plotësisht.


Kuruar nga Adela Demetja.