Atelieja e Piktorit të Panjohur
“Ne s’mund të flasim për dritën pa folur për errësirën gjithashtu.” — Goethe
“Shpirti është i futur në atome.” — Democritus
Atelieja e piktorit të panjohur është një alegori e pacaktuar dhe e paplotë e dimensionit estetik të përvojës, i cili është jokonceptual dhe nuk të tregon çfarë të besosh, sepse ta jep aftësinë për të përjetuar hapjen radikale dhe të pakushtëzuar që nuk mund t’ia imponosh askujt.
Piktori i panjohur nuk të jep lloj-lloj shpjegimesh se çfarë ai do (ka dashur) të bëjë. Përpiqet t’i flasë direkt mendjes tënde. Ky lloj artisti është ai. Sa më shumë shpjegime që ai paraqet, aq më shumë mburoja ti vendosë. Nuk je gati ta shikosh, ta lexosh, ta thithësh, ta zhytësh vetveten në të, sepse tashmë je në mbrojtje, në justifikim. Ai futet drejtpërdrejt në pavetëdijen tënde, ose në atë që nuk mund të dihet, por siç e thotë piktori i panjohur, vetëm të përgjohet, mbase vjedhurazi të shikohet. Pikturat e tij janë kaligrafi e pavetëdijes.
Piktori i panjohur jeton në hapësirën e fantazisë së projektuar në realitet. Ai materializohet nga hiçi dhe në ekzistencën e tij fantastike ëndërrimtare qëndron mjeshtëria e tij e pakushtëzuar.