Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj
Në fazat e hershme Gjelosh Gjokaj krijonte piktura dhe grafika me tema dhe tipare narrative dhe emblematike, si p.sh. te ato piktura me figura të pa identitet që ngjajnë në lodra fëmijësh, por që artisti i paraqet si të “mobilizuar” në falanga totalitare, ku individi merr pamje dhe sjellje mekanike dhe robotike, si një përfytyrim i teknicizimit të jetës moderne që çon drejt dehumanizimit të shoqërisë.
Imazhet e artit të hershëm Gjokajt u referohen kujtesave adoloshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore, por gjejnë vazhdimësi anksioze edhe që trajtojnë kërcënimet katastrofike të Luftës së Ftohtë nga mesi i shekullit XX që kërcënonte me shpërthim të luftës bërthamore dhe asgjësimin e njerëzimit. Ky ndikim devijues i teknicizmit të keqpërdorur më veprat e viteve 70-ta dhe 80-ta të Gjokajt sikur trajton një teme aktuale edhe sot, mbi sfidën që njeriut i vjen nga robotët me intelegjencë artificiale. Në këtë aspekt pikturat e Gjokajt replikojnë përmes imazheve tematizimin heidegerian të sfidave të njerëzimit modern. Filozofi gjerman Martin Heidegger në vitet e 50-të shkruante mbi “të shkretuarit e tokës” dhe “shndërrimin e njeriut në lëndë të parë” ose “në subjekt shfrytëzimi”. Seria me buste dhe “koka që mbijnë” të Gjokajt, ku ai skicon imazhe groteske të riparimit apo rindreqjes shkel e shko të njeriut, duken sikur ilustrime të diskursit heidegerian.
Në vitet ‘80, Gjokaj largohet nga imazhi përfaqësues për tu afruar asaj që Merleau Ponty e quante “botë e heshtur pikturale”. Ai i shmanget kompozicioneve statike dhe figuracionit me mizanskena të kukullave, për tu këthyer imazheve abstrakte si në një fazë eksperimentale të viteve 60-ta kur luante me trajta bazike gjeometrike. Tani abstrakcioni është dinamik dhe ekspresiv, i ngjanë konfrontimit të trajtave dhe ngjyrave me efekte shpërthyese. ( Shquhet sidomos cikli i pikturave nga mesi i viteve 80-ta, me përplasjet në hapësirë të zogjëve mekanikë, ku kacafytja e tyre krijon kaos. Ato imazhe sikur paralajmërojnë fundin vetëvrasës të çdo beteje mes mekanizmave dyluftues.
Në veprat e viteve ‘90, Gjokaj i shmanget krejtësisht qasjes së “pikturimit” të ideve dhe të porosive, ndaj së cilës kishte qenë besnik më shumë se tri dekada. Mbetjet e realitetit në pikturën e tij të kësaj faze janë diçka që do të mund ta quanim skenë e flukseve dhe e përplasjeve të pastra pikturale. Artisti edhe më pas e ruan ndjesinë bazë të një poetike të konfliktit, por tani me forma krejtësisht të derdhur abstrakte, në të cilat nuk dallohet figuracioni real.
Kuruar nga Shkëlzen Maliqi