SPÄTWERK

SPÄTWERK prezanton punë nga viti 2003 deri në vitin 2023. Duke përfshirë fotografi, video, piktura, instalacione, postera, pjesë të bazuara në tekste si dhe forma të ndryshme të praktikave pjesëmarrëse shoqërore, punët dëshmojnë vazhdimësitë dhe shkëputjet, periudhat e pjesëmarrjes dhe tërheqjes dhe mbi të gjitha tensionin ndërmjet mendimit dhe veprimit që e karakterizon punën e Maliqit. Në katin e parë të galerisë në një rrjedhë të vazhdueshme shfaqen punët e vjetra e të njohura krahas atyre më të reja. Veprat eksplorojnë kontekstet historike, sociale, kulturore dhe politike në të cilat janë krijuar. Në të njëjtën kohë, ato vënë në pyetje historinë dhe natyrën e artit bashkëkohor dhe aspektet sociale dhe politike të botës së artit.

Dren Maliqi – Spätwerk është konceptuar si reflektim kritik mbi këtë proces të vazhdueshëm të mendimit. Nëntitulli në gjuhën gjermane u zgjodh nga artisti si një aludim vetë-ironik ndaj traditës filozofike dhe artit-historik gjerman. Shikuar nga pikëpamja e së tashmes, linjat mes së hershmes dhe së vonshmes fillojnë të mjegullohen. Dikush mund të mendojë që edhe punët e hershme janë disi të vonuara: vonë në kohë, vonë në histori, vonë për t'u kthyer në ballë të mendjes së artistit? Çfarë këndvështrime të reja mund të përfitohen nga të menduarit e punëve në këtë mënyrë?

Duke marrë parasysh punët brenda konteksteve kohore, shoqërore dhe artistike gjatë krijimit të tyre, ekspozita shqyrton shtrirjen e artit konceptual dhe të zakoneve shoqërore, veçanërisht nocionin e 'të jetuarit si formë' në Kosovën bashkëkohore. Në përgjithësi, prezantimi i këtij lloji të zgjeruar të praktikës artistike synon të sfidojë diskursin aktual artistik në Kosovë në lidhje me atë që përbën praktikën artistike dhe rolin që një praktikë e tillë mund të luaj në formësimin dhe transformimin e shoqërisë.

Ekspozita do të shoqërohet me një simpozium i cili do të mbahet më 18/19 tetor 2024. E titulluar Jo! Për politikën dhe estetikën e refuzimit, merr si pikënisje dinamikën e refuzimit dhe tërheqjes të cilën Maliqi ndan me artistë dhe aktivistë nga kontekste të ndryshme kulturore që nga fillimet e modernitetit. Simpoziumi bën bashkë mendimtarë, shkrimtarë, historianë, artistë dhe aktivistë të njohur ndërkombëtarisht për të diskutuar për nevojën për të thënë jo, për t'u shkëputur, për të rezistuar, për të hequr dorë kur ndonjë situatë bëhet e paqëndrueshme.

Gjatë simpoziumit do të publikohet një katalog gjithëpërfshirës në dy gjuhë i dizajnuar nga Bardh Haliti. Në të gjenden ilustrimet me ngjyra të punëve me tekste nga Catherine Nichols, Sezgin Boynik dhe Shkëlzen Maliqi si dhe intervista kuratoriale me artistin.