Nga Koleksioni: Kur Qeniet Takohen
Arti ka një histori të ndërthurur ngushtë me përfaqësimin e jetës dhe identitetit, si dhe të pozitë së njerëzve në raport me qeniet jo-njerëzore. Kjo ekspozitë ka pikënisje prezantimin e kafshëve në artin pamor për një periudhë të gjatë kohore e cila përfshinë vepra nga fundi i shekullit të 20-të të cilat janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat e përzgjedhura përshkojnë përfaqësimin e thjeshtë të kafshëve duke i paraqitur ato në mjedise imagjinare dhe reale dhe duke mjegulluar hierarkitë mes qenieve.
Ndër vite, imazhet e kafshëve kanë marrë rol të rëndësishëm në ekspolorimet artistike, shpesh duke kapërcyer racionalen e duke i dhënë jetë të re krijesave që na mundësojnë të vëmë në pyetje ekuilibrin ekologjik. Në veprat e Tahir Emras dhe Ivan Lovrenciç dallojmë një qasje e cila e vë në qendër njeriun, e që theksohet më tutje në pikturat e Florika Ket dhe Adem Kastratit, të cilat përshkruajnë ndërlidhjen e njerëzve dhe kafshëve në përditshmërine e mjediseve rurale. Piktura e Mikel Gjokajt dhe skulpturat e Radoslav Musa Miketić-it dhe Dragoljub Adžić-it, mistifikojnë dhe materializojnë me cilësi antropomorfe qeniet njerëzore dhe ato jo-njerëzore. Të tre artistët i referohen figurës mitologjike greke Ikarus, që u shua pasi fluturoi shumë afër diellit i cili i shkriu krahët prej dylli. Figurat e zogjve që shpesh simbolizojnë lirinë, komunikimin dhe migrimin, janë një motiv i përsëritur në një numër veprash duke përfshirë vizatimet e Zoran Jovanoviq Dobratinit, Isak Asllanit dhe Fevzi Tüfekçit.
Në librin e saj rreth njerëzve dhe kafshëve, Kur Qeniet Takohen, prej nga ekspozita e ka marrë titullin, autorja Donna Haraway shkruan: “figurat nuk janë paraqitje apo ilustrime didaktike, por nyje apo nyje materialo-semiotike, në të cilat trupat dhe kuptime të ndryshme bashkëformësojnë njëra-tjetrën”. Duke shqyrtuar tjetërsimin dhe bashkëjetesën, ekspozita kthehet në një fole takimesh të ndryshëm në artin pamor dhe krijon hapësirën për të kuptuar ndërlidhjen e të gjitha formave të jetës brenda natyrës.