Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës
Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua në vitin 1979 si një institucion kulturor për mbledhjen, ruajtjen, studimin dhe prezantimin e veprave të shquara artistike të të gjitha fushave të artit.
Për këto 40 vjet të veprimtarisë GKK ka organizuar qindra ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat janë përcjellur me shumë botime dhe blerjen e qindra punimeve artistike nga të cilat një pjesë e madhe janë dhuruar dhe është formuar një koleksion mjaft i pasur. GKK përmban jo më pak se 900 vepra.
Ekspozitat e koleksionit u vizituan nga qindra mijëra vizitorë, duke përfshirë këtu edhe shumë delegacione ndërkombëtare. Ndër këta vizitorë ishin të pranishëm personalitete të shquara nga jeta kulturore, por edhe nga ajo politike.
Koleksioni i galerisë përmban vepra nga më të ndryshmet, prej atyre më të vjetrave që datojnë prej viteve të 60-ta të shek.XX e deri te vitet e fundit, të artistëve ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve ka edhe emra shumë të njohur edhe nga historia e artit botëror.
Veprat në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës
Koleksioni i GKK është mjaft i pasur dhe përfshin teknika dhe mediume të ndryshme si në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, karikaturë, dizajn, fotografi, instalacion dhe video. GKK është përpjekur dhe përpiqet që koleksionin ta mbrojë sa më mirë dhe njëra nga mënyrat është që veprat e koleksionit në të ardhmen të nxirren për ekspozita dhe të shihen edhe nga të tjerët.
Shpresojmë që në të ardhmen të përmirsohen kushtet, të krijohen mjetet për pasurimin e tij dhe të investohet në ruajtjen e trashëgimisë në fushën e arteve pamore bashkëkohore, gjë që është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse të planifikojnë të ndërtojë apo të themelojnë Muzeun e Arteve Bashkëkohore, ku do të bartet koleksioni i përhershëm.
Zeni Ballazhi, kurator