Sanja Iveković: Shtëpia e Grave

Shtëpia e Grave, prezanton ekspozitën vetanake dhe arkivin personal të artistes Sanja Iveković. Si pioniere e videos, performancës dhe artit konceptual në Jugosllavi gjatë viteve 1970, Iveković njihet për shqyrtimin feminist të marrëdhënieve gjinore përbrenda Jugosllavisë socialiste dhe tranzicionit post-socialist. Ekspozita është e ndarë në dy pjesë: njëra është përzgjedhje e veprave të artistes e kuruar nga Hana Halilaj ku përfshihen pesëdhjetë vjet të praktikës së saj, ndërkaq tjetra pjesë shpalos një ekspozitë arkivore e bazuar në hulumtimin e arkivit të Ivekovićit, e kuruar nga Ivana Bago.

Pikëtakimet: Dokumentet në Krijim e Sipër, 1968–1982, e ka pikënisje ekspozitën e parë të rëndësishme personale të Ivekovićit, të titulluar Dokumente 1949–76, e mbajtur në Zagreb në vitin 1976, ku artistja kishte synuar ta “dokumentonte” historinë e saj personale duke konstruktuar një histori kritike të së tashmes. Mbështetur në hulumtimin njëvjeçar të Ivana Bagos mbi praktikën e Ivekovićit, ekspozita shtrihet prej periudhës së studimeve të Ivekovićit në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb gjatë revoltave studentore të vitit 1968, e deri te kriza në rritje e socializmit jugosllav në fillim të viteve 1980. Ekspozita është strukturuar si ese pamore, ku rrëfimi kuratorial vendoset në të njëjtin plan me veprat e artistes (duke i përfshirë fragmentet dhe riprodhimet e tyre), dhe materialet arkivore të cilat shpalosin vizatime, skica, shënime, fotografi, letra, postera ekspozitash, libra dhe revista. Njëmbëdhjetë kapitujt  të renditur kronologjikisht e zhvendosin fokusin nga vëmendja kuratoriale dhe tregtare, e dhënë ndaj një numri relativisht të vogël të veprave feministe të Ivekovićit, të krijuara në gjysmën e dytë të viteve 1970, për të shpërfaqur qasjen e saj eksperimentale dhe të larmishme në krijimin e artit, si dhe pozicionimin e saj kritik brenda strukturave ideologjike dhe institucionale të socializmit jugosllav dhe botës së artit gjithnjë e më globalizuese të viteve 1970. Në një kohë kur një numër në rritje i organizatave krijohen për të arkivuar dhe për të ruajtur trashëgimitë e artistëve të Evropës Lindore të brezit të Ivekovićit, Pikëtakimet ofron një mundësi për aktivizimin e “dokumenteve” rreth së kaluarës socialiste, duke vënë në pyetje të ardhmen e tyre si dhe marrëdhënien tonë me trashëgimitë që ato përmbajnë.

Ekspozita e dytë Përkohësitë e Shpresës, kuruar nga Hana Halilaj, prezanton një numër veprash të Ivekovićit që shqyrtojnë politikat gjinore dhe përfaqësimin e grave në mediat masive. Duke sjellë në pah mënyrat se si rolet sociale të grave janë kuadruar për konsumizëm, veprat e prezantuara tregojnë sesi ky ndryshim ka ndodhur prej së kaluarës socialiste deri në komunikimet masive të sotme. Për më tepër, ekspozita hulumton historitë e harruara të pjesëmarrjes aktive të grave në luftën antifashiste të Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavi dhe fshirjen e Frontit Antifashist të Grave nga kujtesa kolektive në të gjitha shtetet pas-jugosllave, përfshirë këtu edhe Kosovën. Si artiste aktiviste, Iveković mirret me pabarazitë gjinore dhe vazhdimësinë e dhunës në familje. Seria Shtëpia e Grave (1998 - vazhdon), paraqet pesë skulptura të fytyrave të grave që jetojnë në strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje, të cilat Iveković i prodhoi gjatë një punëtorie në Kosovë, në Pejë, viti 2004. Të vendosura mbi piedestale, çdo fytyrë tregon histori që dëshmon për rëndësinë e këtyre qështjeve dhe luftën e vazhdueshme të grave për të drejtat e tyre. Forca e trashëgimisë së Ivekovićit qëndron në navigimin e saj të kujdesshëm të realiteteve historike dhe politike të cilat ajo i ka përjetuar, duke ua theksuar njëkohësisht edhe rëndësinë e tyre universale.

Anipse ofrojnë qasje të ndryshme ndaj veprave të Ivekovićit, të dy ekspozitat ndërlidhen me dëshirën për ta prezantuar këtë punë si një trashëgimi fuqizuese, e cila mëton të përdoret si frymëzim në trajtimin e realiteteve të ndërlikuara të periudhës pas-jugosllave dhe përtej saj. Nën titullin e përbashkët, Shtëpia e Grave, kuruar nga dy historiane arti post-jugosllave dhe të brezave të ndryshëm, këto prezantime të artit të Ivekovićit e shndërrojnë Galerinë Kombëtare të Kosovës në një “shtëpi” të takimeve ndër brezore dhe fuqizuese.

Pikëtakimet: Dokumentet në Krijim e Sipër, 1968–1982, prezantohet në bashkëpunim me Muzeun e Artit Bashkëkohor, Zagreb, ku vepra ishte ekspozuar për herë të parë në vitin 2023.